
Dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, sot në mëngjes kanë zbatuar vendimin e prokurorit Bledar Maksutit, duke ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit.
Burime për Versus.al konfirmuan se nuk ka masa sigurie, por vetëm kontrolle në këto pika.
Kontrollet po sipas burimeve janë kryer në kuadër të një procedimi tjetër penal, ku janë konstatuar gjatë hetimeve elemente që krijojnë dyshime për aktivitet të paligjshëm.
Gjithashtu Ergys Agasi ka qenë i pranishëm gjatë gjithë fazës së kontrolleve, i shoqëruar nga një avokat mbrojtës.
Gjatë inspektimit të vilës së tij në Durrës, grupi i BKH-së i ka sekuestruar dokumente, celularë, laptopë dhe objekte të tjera që janë vlerësuar si të rëndësishme për hetimet.
SPAK ka zgjedhur të mos komentojë publikisht mbi këtë çështje, duke mbajtur të fshehur çdo informacion lidhur me dosjen në fjalë.
Po kush është Ergys Agasi?
Agasi është një figurë publike shqiptare, i njohur për lidhjet e tij me politikën dhe biznesin. Fillimisht, Agasi ka qenë pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).
Në vitin 2017, Agasi dha dorëheqjen nga posti i kreut të Inspektoratit të Mjedisit dhe iu bashkua PS-së.
Ai ka shërbyer si Drejtor Politik për qarkun e Durrësit. Përveç angazhimeve politike, Agasi është i përfshirë edhe në sektorin privat, duke qenë pronar i disa bizneseve, përfshirë një kompani që merret me logjistikë dhe prodhimin e cigareve.
Gjatë një dokumentari në RAI3 ish-zvvëndëskryeministri Arben Ahmetaj hodhi akuza të rënda për Agasin duke thënë se është një person që bën rolin e koordinatorit mes Ramës dhe grupeve kriminale.
Por më vonë Agasi deklaroi për mediat se “nuk merrem me thashetheme, sidomos nga njerëz që janë arratisur dhe kanë probleme me drejtësinë”.
Gjithashtu emri i Agasit është përfolur dhe për lidhjet e tij me familjen Troplini që njihet si një nga grupet e njohura kriminale në vend.
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berishanjë muaj më parë u shpreh se biznesmeni Agasi ka ndikuar për mbajtjen e fshehtë të madateve të arrestit për 62 ditë për bandën e Troplinëve.
Berisha theksoi se Agasi është një me “Pojën”./Versus.al







