Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetimet për vjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS. SPAK, i kontaktuar me email për këtë çështje, konfirmoi se kallëzimi penal është regjistruar, por hetimet ndodhen ende në fazën paraprake.
KËRKESA: Kërkoj informacion në lidhje me një kallëzim penal të bërë prej meje, F.D, në datë 9 Prill 2025 për ndërhyrjen në sistemin TIMS, ngjarje e ndodhur në datat 2-3 gusht 2023. A është regjistruar kallëzimi? Nëse po, në cilën fazë gjendet?
PËRGJIGJIA: Në përgjigje të kërkesës tuaj, e prokolluar më datë 13.06.2025, pas verifikimeve të kryera në regjistrin e njoftimit të veprave penale, ju informojmë se: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të materialit kallëzues të depozituar nga shtetasi F.D ka regjistruar procedim penal. Ky procedim penal është në fazën e hetimeve paraprake.
Sulmi ndaj sistemit TIMS në vitin 2022 u mor përsipër nga grupi "Homeland Justice," i cili, sipas qeverisë shqiptare, financohet nga Irani. Për shkak të këtyre sulmeve, jo vetëm ndaj TIMS, por edhe ndaj institucioneve të tjera, kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Kompania Microsoft, e përfshirë në hetimin e incidentit, konfirmoi se të gjitha zbulimet e saj lidhen me aktivitete që vijnë nga Irani.
Nga ana tjetër, opozita ngriti një Komision Hetimor për të kontrolluar ligjshmërinë e veprimeve apo mosveprimeve të organeve dhe funksionarëve përgjegjës për administrimin dhe mbrojtjen e të dhënave në TIMS. Ky komision u krijua pas skandalit të denoncuar brenda Policisë së Shtetit dhe arrestimit të ish-drejtorit të IT-së, Ervin Muça, i cili akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave nga sistemi TIMS. Muça ka mohuar akuzat dhe pretendon se nuk ka kryer asnjë veprim që cënon të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, duke shtuar se ka kryer vetëm backup të sistemit, pa marrë apo përdorur të dhëna.
Në total, sulmi ndaj TIMS përfshiu vjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve, duke rrezikuar sigurinë dhe privatësinë e informacionit në sistemin kombëtar të migracionit. Hetimet janë në vazhdim, ndërsa çështja ka shkaktuar shqetësim të madh për sigurinë kibernetike në vend./Versus.al







