AKTUALITET /

SPAK përfundoi hetimet, sot Kryemadhi merr aktet hetimore për dosjen "Meta"! E pandehur edhe nëna e saj

Shkruar nga Versus
SPAK përfundoi hetimet, sot Kryemadhi merr aktet hetimore për dosjen
Ilir Meta, ish-vjehrra e tij Fatime Kryemadhi dhe ish-gruaja e tij Monika Kryemadhi

Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi dje mbylljen e hetimeve për dosjen e Partisë së Lirisë, Ilir Metën i cili prej tetorit të vitit të kaluar ndodhet në burg dhe për ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi dhe 3 persona të tjerë të pandehur.

Sot Kryemadhi do të paraqitet në SPAK ku do t’i komunikohet mbyllja e hetimeve për dosjen në të cilën akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Kryemadhi do të marrë në dorëzim edhe dosjen e përfunduar të hetimeve.

Dje përveç mbylljes së hetimeve për ish-çiftin dhe bashkëpunëtorët e tyre, u mor e pandehur edhe Fatime Kryemadhi, e ëma e Monika Kryemadhit. Dyshohet se e moshuara ka ndihmuar vajzën dhe ish-dhëndrin e saj që të pastrojnë paratë. Ajo është marrë disa herë në pyetje gjatë hetimeve të SPAK, ku ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se çdo pasuri e saj ka ardhur nga prona private.  

Dje iu komunikuan akuzat edhe Ema Çokut për pastrim parash dhe ish-kreut të AKEP-it Pirro Xhixho për korrupsion pasiv. Në dosje hetimore përfshihen hetimet për aferën “CEZ-DIA”, skandali i lobimit të LSI në SHBA dhe pasuria e dyshimtë e ish-çiftit Meta-Kryemadhi. Dyshimet janë se Kryemadhi dhe Meta duke përdorur pushtetin e tyre, kanë përfituar pasuri të paligjshme duke fshehur edhe burimin e tyre nëpërmjet përdorimit të familjarëve. Versus.al

Poll