
Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme po intensifikon hetimet financiare, duke ndjekur edhe pasuritë e krijuara nga aktiviteti kriminal jashtë territorit të Shqipërisë.
Gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, Braho tha se është konstatuar një ndryshim në mënyrën se si grupet kriminale menaxhojnë të ardhurat e tyre.
Sipas tij, nëse më parë produktet e veprës penale silleshin në Shqipëri, tashmë është vënë re një prirje e re për t’i mbajtur dhe shpërndarë ato jashtë vendit, me synimin për t’iu shmangur konfiskimit.
“Për pasuritë jashtë vendit, trendi i shtetasve shqiptarë të përfshirë në aktivitet kriminal jashtë vendit ka ndryshuar. Në të kaluarën produktet e veprës penale silleshin në Shqipëri, ndërsa së fundmi ato po shpërndahen dhe nuk po transferohen më në vend. Një rast konkret është një pasuri me vlerë 12.7 milionë euro. Ka edhe raste të tjera, por për momentin nuk mund të flas”, deklaroi Braho.
Kreu i SPAK theksoi se hetimet financiare mbeten një nga prioritetet e institucionit, me fokus identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtaria kriminale, brenda dhe jashtë Shqipërisë./Versus.al

