AKTUALITET /

Vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar, Berisha e pranon: Krim shtetëror, por i kryer pa dashje

Kreu i PD pranoi para gazetarëve se 21 janari ka qenë krim shtetëror, por tha se ai nuk kishte dhënë urdhër për vrasjen e protestueve.

Shkruar nga Versus

Vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar, Berisha e pranon: Krim

I pyetur për dosjen hetimore për vrasjen e 4 protestuesve në bulevardin para kryeministrisë më 21 janar 2011, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai vetë e ka cilësuar “krim shtetëror” para se një gjë të tillë ta thoshte gjykata e Strasburgut.

Berisha tha se ndryshimi është se ai ishte një krim i kryer pa dashje dhe se vrasja e protestuesve nuk ishte qëllimi. Përsa i takon akuzave se ai ka dhënë urdhër, Berisha e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.

“A mund të shkosh pak të lexosh fjalimet e Sali Berishës vite me radhë përpara ku e kam quajtur krim shtetëror. E kam quajtur unë përpara. Sepse unë nuk mund të them se ata nuk u vranë nga njerëz të shtetit. Por krim shtetëror, është me dashje dhe pa dashje. Ka klasifikim krimi shtetëror. Krimi shtetëror me dashje ka rregullat e veta kur konsiderohet i tillë.

Garda ka patur një ligj. Unë e kam thënë 6 vite para që është krim shtetëror pa dashje. Por ka një dallim në rast të një krimi shtetëror, dëmshpërblimi nga shteti kundrejt viktimës është më i madh. Këta janë dëmshpërblyer me shuma që nuk e di nëse afrohen në shkallën e duhur apo jo. Pra para se ta thotë gjykata, e kam thënë unë përpara. Ata u vranë nga armë të shtetit, por nuk ishte qëllim vrasja. Nuk ka patur asnjë urdhër për vrasjen e tyre”- u shpreh Berisha para gazetarëve pasi doli nga godina e SPAK ku zbatoi masën "detyrim paraqitje".

Ditë më parë, kreu i SPAK Altin Dumani tha se dosja e 21 janarit po hetohet me prioritet dhe se është ende në fazën e hetimeve paraprake. Më 21 janar në protestën e organizuar nga opozita e asaj kohe Partia Socialiste ku kërkohen dorëheqja e zv.kryeministrit Ilir Meta, u vranë 4 protestuesit Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika. Versus.al

Poll