Situata në aeroportin e Vlorës vijon të mbetet e njëjtë. Kamionët e kompanisë ‘2A Group” të Valon Ademit që bllokojnë hyrjen dhe punonjësit e kompanisë “Macbo” të Behgjet Pacollit që kërkojnë të futen në kantier.
Lidhur me këtë çështje, gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” tha se duhet që SPAK të ndërhyjë urgjentisht pasi ka të ngjarë që dy aksionerët të shkojnë në “arbitrazh” gjë që do të dëmtonte akoma më shumë financat publike.
"Kjo është një histori e turpshme dhe qesharake, që tregon se si ky shtet është i papërgjegjshëm deri në këtë pikë. Janë dy ortakë, të cilët kanë probleme, konflikt dhe kanë marrë peng një vepër kaq të rëndësishme publike. Askush dhe askujt nuk i bën përshtypje kjo.
Ka patur vendime gjykatash, kundër vendimeve, që herë i japin të drejtë njërës palë dhe herë tjetrës. Sot Pacolli ka dalë në deklaratë dhe thotë aeroportin e kanë marrë grupe kriminale, më kanë kërcënuar me jetë. Historira… Është histori e madhe turpi, me kosto të mëdha për qytetarët. Ai aeroport po mbahet peng. Duhet të ishte funksional që vitin e kaluar. U shty për në shkurt 2026 dhe nuk u hap. Nuk u hap as këtë sezon turistik. Ka gjasa të mos hapet edhe për një kohë të pacaktuar. Askush nuk e di. Çfarë po ndodh aty, të gjithë po bëjnë një lojë, për të bërë gol të madh arbitrazhi, apo të fusin ndonjë karrem për të ekspozuar qytetarët përballë kostove të tjera më të mëdha.
Ka një gjë që nuk kuptoj, pse nuk ndërhyn SPAK? Kjo histori është bërë shumë e madhe tani dhe nuk mund të lihet më me këtë që jo po shkon njëra palë bën kallëzim, pastaj pala tjetër. Duhet të ndërhyjë SPAK dhe ta ndajë këtë histori. Ka dy aksionerë, duhet gjetur kush është fajtori... Me çfarë po shoh, kjo punë po bëhet që të fusë hundët qeveria dhe të shkohet në arbitrazh", deklaroi Tomorri. Versus.al

