Shefja e re e Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Kaja Kallas, u takua veçmas me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Sulmi i fundit terrorist në Kosovë dhe normalizimi i raporteve ishin kryetema të bisedave. ‘Rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve të tyre, në bazë të marrëveshjes së Ohrit.
‘E mirëprita gatishmërinë për të bashkëpunuar plotësisht pas sulmit të fundit terrorist. Autorët duhet të përballen me drejtësinë’, njofton kryediplomatja e BE-së.
Kryeministri Kurti bëri me dije se gjatë takimit këmbënguli për zbatimin e marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Gjithashtu e njoftoi zonjën Kallas lidhur me hetimet për sulmin terrorist ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
‘Ka armatim të konfiskuar dhe materiale që janë gjetur. Nga 74 emblema që u konfiskuan, 20 prej tyre janë ruse, prej njësive të ndryshme ruse, të tjerat janë kryesisht serbe’, thekson Kurti.
Ai përsëriti kërkesën që Serbia të dorëzojë Milan Radoiçiç që mori përsipër sulmin në Banjskë.
Nga ana tjetër, presidenti serb e konsideroi bisedën me zyrtaren e Bashkimit Europian të hapur dhe tepër të vështirë. ‘Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë foli për domosdoshmërinë e dialogut me Prishtinën, zgjidhjen e rastit Banjska dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë’, njofton Vuçiç.








