
Policia ka arrestuar ditën e sotme Marklen Hakën, anëtar i bandës së Niklës, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK për tentativë vrasjeje ndaj Durim Bamit.
Mbi të rëndojnë edhe akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
33-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë pasi ka edhe precedentë të mëparshëm penalë.
Në shtator të vitit 2019 ai i shpëtoi një atentati nga ku mbeti e vdekur halla e tij, ndërsa në qershor të 2022 i shpëtoi një tjetër atentati në Nikël, nga ku mbeti i plagosur.
Në reagimin e ministrit të Brendshëm është bërë me dije se bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.
I cilësuar si një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit Haka u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri.
Mariglen Haka ka përfunduar për herë të parë në pranga kur ishte 20 vjeç, i dyshuar për një vepër të rëndë penale, atë të vrasjes.
Ai u arrestua më 29 qershor të vitit 2011, i dyshuar nga Prokuroria e Tiranës si autori i vrasjes së biznesmenit Nadien Zeneli, mbrëmjen e 13 qershorit të po atij viti, në një nga baret tek ish-Blloku në kryeqytet.
I shoqëruar pas ngjarjes, i arrestuari Mariglen Haka ka mohuar vrasjen dhe ka pohuar se nuk ka qenë në Tiranë ditën e ngjarjes.
Haka u la i lirë pas disa muajsh, pasi nuk u arrit t’i faktohej vepra penale, për të cilën ishte arrestuar.
Më 12 shtator të vitit 2018, Mariglen Haka u arrestua bashkë me të atin e dy persona të tjerë, në operacion e bujshëm, gjatë të cilit forcat speciale rrethuan Niklën dhe disa fshatra të tjera të Krujës, duke shoqëruar dhjetëra persona, por që arriti të gjente vetëm disa armë pa leje.
Në lidhje me këtë arrestim, Haka u dënua me 1 vit heqje lirie, por me një vendim të datës Gjykatës së Krujës dënimi i tij përfundoi në korrik të 2019.
Kujtojmë se, më 12 qershor 2024, në Dubai u arrestua Durim Bami, i cili është në akuzë për 4 vepra penale, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal.
Durim Bami, bashkë me Endrit Doklen, Marklen Hakën dhe Xhelal Rrajën, do vrisnin Arben Ndokën.
Reagimi i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha
Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë pak minuta më parë i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë.
Përpjekja për t'ju shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.
Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie./ Versus.al







