Një operacion i koordinuar mes strukturave operacionale të Policisë së Tiranës dhe Komisariatit të Policisë Sarandë ka përfunduar me arrestimin e Elvis Koçit alias Elvis Çaushllari, i njohur ndryshe si “Vis Korçari”.
Sipas burimeve, 34-vjeçari nga Elbasani ishte nën vëzhgim prej disa kohësh dhe u lokalizua gjatë ditës së djeshme në zonën e Ksamilit.
Mbrëmjen e së shtunës u organizua operacioni për kapjen e tij, me pjesëmarrjen e efektivëve të policisë dhe agjentëve civilë të sektorit të Krimeve.
Mësohet se sapo ka vënë re praninë e policisë, Çaushllari ka tentuar të largohet, duke kryer manovra të rrezikshme me automjetin e tij.
Gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar arrestimit, ai ka përplasur dy automjete civile të policisë dhe ka arritur të dalë fillimisht nga rrethimi.
Menjëherë pas incidentit, policia ka nisur një operacion kërkimi me mbështetjen e forcave të FNSH-së. Pas rreth 30 minutash ndjekje, 34-vjeçari u lokalizua pranë një biznesi në aksin rrugor Ksamil–Butrint, ku edhe u vu në pranga.
Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti me të cilin lëvizte, i regjistruar në emër të vëllait të tij.
Burime jozyrtare bëjnë me dije se ndalimi i tij mund të lidhet me zbatimin e një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), megjithëse deri tani nuk ka një njoftim zyrtar mbi arsyet e arrestimit.
Elvis Çaushllari është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe është përmendur në hetime që lidhen me grupet kriminale në Elbasan.
Ai u arrestua nga SPAK në vitin 2022 në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, ndërsa u lirua rreth një vit më vonë.
Policia pritet të japë detaje të tjera zyrtare mbi operacionin dhe veprat penale për të cilat ai dyshohet./Versus.al


