
Godina e Parlamentit ishte e rrethuar me kordonë policie mëngjesin e së enjtes, kur një grup protestuesish i përbërë kryesisht nga vajza dhe djem të rinj, por edhe disa të moshuar, gra e fëmijë, u afrua me thirrjet e zakonshme të protestës maratonë për dorëheqjen e kryeministrit apo fundin e klasës politike.
Por në afërsi të mesditës, situata u tensionua duke sjellë shoqërime të dhunshme, tërheqje zvarrë të protestuesve dhe përdorimin joproporcional të shkopinjve të gomës. Policia deklaroi përmes një njoftimi se protestuesit sulmuan me gurë dhe mjete të forta dhe se 15 efektivë ishin lënduar gjatë përplasjeve.

Protestuesit u përpoqën që të bllokonin qarkullimin e deputetëve, duke hedhur vezë në drejtim të tyre dhe drejt makinave të policisë. Në vijim, protestuesit tentuan të hynin në oborrin e parlamentit dhe në drejtime të tjera, pa mundur të çajnë kordonin e policisë.
Tensioni mes protestuesve dhe punonjësve të policisë u rrit, ndërkohë që deputetët e kishin të pamundur të dilnin nga Kuvendi. Rreth orës 12:50, policia veproi duke hedhur spraj piperi, gaz lotsjellës dhe ujë me presion, duke bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve. Disa prej tyre, duke përdorur pjesë metalike të rrethimit dëmtuan një makinë të policisë, duke i thyer xhamin e parë. Nga ana tjetër, forca të shumta policore ndoqën protestuesit për rreth 150 metra, duke i rrethuar dhe prangosur ata, dhe në disa raste, duke i goditur me shkopinj gome.
Avokati Gentjan Serjani që po përfaqëson ligjërisht protestuesit i tha BIRN se 7 nga 18 të shoqëruarit u arrestuan në kushtet e flagrancës. Sipas tij, një prej të arrestuarve ka probleme shëndetësore dhe ka shfaqur një krizë gjatë kohës që ka qëndruar i shoqëruar.
“Kanë qenë vetë punonjësit e policisë që e shoqëruan atë për në spital, por pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore e kanë vendosur nën arrest,” tha Serjani, ndërsa shtoi se ka afat 72 orë që të arrestuarit të dalin para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, KSHH, shprehu shqetësim për dhunën fizike të ushtruar nga Policia e Shtetit, e cila sipas saj kishte elementë të ngjashëm me pamjet e një muaji më parë në Zvërnec.
“…ndërhyrja e policisë u shoqërua me përdorim force fizike, shoqërim protestuesish në komisariat dhe pamje që tregojnë tërheqjen zvarrë të protestuesve..,” deklaroi Komiteti Shqiptar i Helsinkit, duke theksuar se forca duhej të ishte mjeti i fundit.
KSHH u bëri thirrje autoriteteve që të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore si dhe prokurorisë që të hetojë në mënyrë të pavarur dhe efektive çdo pretendim për përdorim të tepruar force ndaj protestuesve.(Reporter)

