
Në ditën e 33-të të protestave qytetare kundër qeverisë, mazhoranca vijon të kërmbëngulë për një dialog me protestuesit "e arsyeshëm", siç i quan ajo ata që kanë dalë në shesh për problemet reale.
Kanë qenë së fundmi deputetët socialistë Sara Mila dhe kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla që mbrëmjen e sotme, e kanë artikuluar këtë, nisur dhe nga zhvillimet e dhunshme sot para Kuvendit ku disa prej protestuesve u dhunuan dhe më pas u arrestuan nga policia.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Balla shkruan se dialogu do të vijë së shpejti natyrshëm, me ata që kishin arsyet e tyre legjitime për të protestuar.
“Që nga shqetesimet për natyrën deri tek zemërimi ndaj atyre që shpërdorojnë besimin mbi karrigen e pushtetit, dëgjimin dhe reflektimin tone”, thotë në mesazh Taulant Balla.
Kurse deputetja Sara Mila shkon më tej, duke deklaruar se gjërat tashmë janë drejt fundit.
"Do të ndodhë shumë shpejt një sqarim. Edhe vetë përfaqësues të protestës, ata fillestarët, të vërtetët, jo këta që fshihen pas atij që vrau njerëzit në bulevard, do dalin me zë, me figurë, së bashku me kryeministrin, me organet kompetente, dhe do të sqarohet gjithë Shqipëria sepse jemi drejt dialogut”, u shpreh Mila gjatë një interviste televizive.
Kurse protestuesit nga ana e tyre, pothuajse në çdo protestë përgjatë një muaji, kanë deklaruar se nuk do të ketë dialog me kryeministrin, por ata kërkojnë dorëheqjen e tij.Versus.al

