Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka dënuar dhunën dhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë gjatë protestës së sotme para Kuvendit. Duke reaguar për videon e momentit kur njëri prej policëve goditet me gur në kokë nga protestuesit, Gogu shkruan se askush nuk e ka të drejtën të cënojë sigurinë e policëve që janë në krye të detyrës.
“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike. Aktet e dhunës, përfshirë hedhjen e gurëve ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestës së sotme, janë të papranueshme dhe të pajustifikueshme. E drejta për të protestuar është një e drejtë themelore dhe duhet të ushtrohet në respekt të ligjit dhe të institucioneve.
Askush nuk ka të drejtë të cenojë sigurinë e efektivëve të Policisë, të cilët janë në krye të detyrës për të garantuar rendin publik dhe sigurinë e çdo qytetari.
Shteti i së drejtës ndërtohet mbi respektimin e ligjit, të institucioneve dhe të njëri-tjetrit. Dhuna nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë një mjet i pranueshëm për të shprehur bindjet apo pakënaqësitë politike”- shkroi ministri. Versus.al

