
Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Golem të Kavajës, ku policia gjeti në rrugë 38 vjeçarin Adis Barzezi i cili ishte nën masën e arrestit shtëpiak për armëmbajtje pa leje dhe shkatërrim prone. Ndërsa iu komunikua se do të shoqërohej në komisariat për veprime të mëtejshme, 38 vjeçari së bashku me kunatin e tij A.Sh 23 vjeç dhe familjarë të tjerë të tij kanë kundërshtuar me forcë policinë.
Për shkak të situatës së krijuar dhe përplasjes mes familjarëve dhe policisë, njëri prej efektivëve qëlloi një herë në ajër me qëllim zbrapsjen e personave me të cilët po përplaseshin fizikisht. Në ndihmë të oficerëve shkuan edhe policë të tjerë të cilët shoqëruan të gjithë personat që kundërshtuan policinë. Për rastin është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore. Versus.al

