
Një 20 vjeçare nga Indonezia e identifikuar si Ayu Putri është arrestuar nga Policia në Tiranë pasi akuzohet për vdekjen e foshnjes së saj.
Sipas raportimeve, e reja kishte ardhur disa muaj më parë nga Indonezia në vendin tonë, bashkë me disa shoqe dhe kishin marrë një ambjent me qira në kryeqytet.
Putri ishte 5 muajshe shtatzënë, dhe raportohet se punonte pastruese në lokale të ndryshme të Tiranës.
Sipas hetimeve, pasi kishte lindur foshnjen ajo kishte shfaqur kriza të forta stresi dhe e ka braktisur beben në banesë. Shoqet e saj kanë njoftuar pronarin e shtëpisë, i cili më pas ka lajmëruar policinë.
Foshnja është transportuar në spital, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë më pas. Fillimisht, për shkak të rrethanave dhe gjendjes shëndetësore të nënës, ndaj saj ishte nisur hetim në gjendje të lirë, ndërsa së fundmi Gjykata ka lëshuar urdhër ndalimi dhe ajo është arrestuar.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1: ndaluan shtetasen e huaj A. P., 20 vjeçe, pasi Gjykata ka dërguar urdhrin e ndalimit, si e dyshuar për veprën penale “Vrasja e foshnjës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Putri është shoqëruar për veprime të mëtejshme proceduriale.

