POLITIKË /

'Shumë figura të PD-së janë konsumuar duhet hapur krahu të rinjve', ja si i përgjigjet Berisha kritikës së qytetarit në Kurbin

Gjatë takimit me demokratët në Kurbin, një qytetar e pyeti Sali Berishën për figurat e konsumuara të PD-së dhe nevojën për t’u hapur rrugë të rinjve. Në përgjigje, Berisha theksoi se partia do të vazhdojë ripërtëritjen e saj dhe se vota është liria që garanton zgjedhjen e përfaqësuesve nga vetë demokratët.

Shkruar nga Versus
'Shumë figura të PD-së janë konsumuar duhet hapur krahu
Sali Berisha në Kurbin

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka vijuar këtë të shtunë turin e takimeve me demokratët, duke u ndalur në Kurbin, ku zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët dhe strukturat lokale të Partisë Demokratike.

Gjatë takimit, një prej të pranishmëve ngriti çështjen e figurave të konsumuara brenda PD-së, duke sugjeruar se duhet t’i hapet më shumë hapësirë brezit të ri.

“Shumë figura të PD-së që kanë qenë jashtëzakonisht politikanë të shquar, janë konsumuar dhe duhet t’i hapin krahun të rinjve. Dikush mund të thotë që është konsumuar edhe dr. Berisha, por ai është playmaker i PD-së. Kanë dështuar shumë udhëheqës botërorë, ndërsa doktori i ka qëndruar kohës,” tha qytetari.

Në përgjigjen e tij, Berisha u ndal te procesi i ripërtëritjes së Partisë Demokratike, duke deklaruar se ai është një proces i pandalshëm brenda forcës politike që drejton.

“Ju garantoj që PD-ja është një parti që ka ripërtërirë dhe do ripërtërijë veten si kusht vendimtar për të përmbushur misionin e vet. Krahas kësaj përpjekjeje, jemi në një analizë që nuk e ndërpresim. Analizën do e bëjmë dhe secili demokrat është i ftuar të japë sugjerime dhe kritika. Përsëri do jeni ju, me votën tuaj, që do zgjidhni njerëzit që doni,” tha Berisha.

Ai theksoi se votën e sheh si simbol të lirisë politike, duke shtuar: “Vota është liri dhe ne nuk i ndahemi kësaj”./Versus.al

Poll