Policia ekuadoriane dhe spanjolle zhvilluan një megaoperacion që çoi në arrestimin e 23 personave, mes tyre 7 shqiptarë të cilët akuzohen për trafik ndërkombëtar të kokainës.
Gjatë operacionit agjentët kryen tetë bastisje në komunat Samborondon, Naranjal dhe Daule, që i përkasin provincës Guayas.
Banda që kishte edhe degën e saj në Spanjë, shtrinte aktivitetin e saj të paligjshëm në disa shtete europiane, kryesisht në Belgjikë, Holandë dhe kontinentin Afrikan, ndërsa vlera e drogës së shitur arrinte vlerën deri në 300 milionë dollarë.
Policia arriti të sekuestronte armë, para, pajisje elektronike dhe bizhuteri. Hetimet e këtij rasti janë zhvilluar përgjatë tre viteve, ndërsa shtetasit shqiptarë, janë arrestuar në Spanjë.
Organizata e drogës përdorte biznese legjitime si fasada për të eksportuar sasi të mëdha droge dhe për të pastruar paratë.
