Një aksident tragjik rrugor i ka marrë jetën një të riu shqiptar në Itali. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Matias Selaj, i cili pësoi një aksident të rëndë mëngjesin e 4 qershorit, ndërsa ishte në lëvizje me motoçikletë, duke u nisur për në punë.
Ngjarja ndodhi në rrugën “Strada dei Vivai”, pranë zonës Sant’Angelo di Piove. Për shkaqe ende të paqarta, Matias është përplasur fillimisht me pjesën e pasme të një furgoni Opel të ndaluar në anë të rrugës. Përplasja e parë e hodhi trupin e tij disa metra më tej, në korsinë e kundërt, ku fatkeqësisht u godit nga një tjetër makinë, e drejtuar nga një grua 49-vjeçare.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme mjekësore, i riu nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë në spital tre ditë pas aksidentit.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.







