Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në rrugën “Brigada VIII” në kryeqytet, ku një punëtor ndërtimi ka humbur jetën në rrethana tragjike gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi i huaj V. N., rreth 48 vjeç, me origjinë nga Bosnja-Hercegovina, ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme teksa punonte në një pallat në ndërtim. Për fat të keq, ai ka ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të marra.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Ende nuk dihet nëse janë respektuar masat e sigurisë në punë apo nëse ka përgjegjësi nga subjektet ndërtuese.







