Një aksident tragjik ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes në autostradën Drenner, në veri të Italisë, ku kanë humbur jetën dy të rinj shqiptarë nga Kosova.
Viktimat janë identifikuar si Driton Sadikaj, 19 vjeç, nga Deçani dhe Valdrin Xhyliqi, 20 vjeç, nga Malisheva. Të dy të rinjtë ishin të punësuar në një kompani ndërtimi dhe ndodheshin në rrugë për në punë kur ndodhi përplasja fatale.
Ata po udhëtonin me një furgon pune, i cili sipas autoriteteve italiane, është përplasur me një kamion në rrethana ende të paqarta. Goditja ka qenë shumë e fortë, duke shkaktuar shtypjen totale të kabinës së furgonit, çka i la të rinjtë të bllokuar brenda automjetit, pa mundësi shpëtimi.
Një person tjetër, që ndodhej në njërin prej kamionëve të përfshirë në aksident, ka mbetur rëndë i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spital. Gjendja e tij mbetet e paqartë.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga familjarët e të ndjerëve përmes postimeve prekëse në rrjete sociale, të cilët kanë shpërndarë dhimbjen për këtë humbje të parakohshme dhe kanë bërë thirrje për ndihmë në përballimin e situatës.
Autoritetet italiane kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur shkaqet dhe dinamikën e saktë të aksidentit, i cili ka tronditur jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe familjarët dhe bashkëqytetarët e viktimave në Kosovë. /Versus.al







