
Itali- Punëtori shqiptar 50 vjeçar i cili mbeti i plagosur dy ditë më parë pas një asksidenti rrugor, ka ndërruar jetë sot në spitalin e Milanos.
Betim Bilangu, baba i tre fëmijëve u përfshi në një aksident rrugor të martën në autostradën Brebemi në zonën mes Trecellas dhe Albignanos.
Ai po drejtonte një furgon të tonazhit të rëndë kur u përplas me një kamion që po dilte nga një vendparkim. Bilangu u dërgua në spital në gjendje të rëndë, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetonte.
Shoferi tjetër, i përfshirë në aksident, 52-vjeç, ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe është shtruar në spitalin e Treviglios.
Betim Bilangu jetonte prej shumë vitesh në Cologno bashkë me bashkëshorten e tij, Aida, dhe tre fëmijët e tyre: dy vajza të rritura që sapo kanë filluar punë, dhe djali i vogël, vetëm 10 vjeç, shkruajnë mediat italiane.
Një i njohur i tij tregon:
“Ishte në Itali që në moshën 18-vjeçare. Fillimisht kishte punuar në Puglia duke mbledhur domate. Më pas u zhvendos në Cologno ku u bashkua me vëllain e tij dhe nisi punën si murator. Ishte njeri i mirë dhe i dashur nga të gjithë.”
Për 16 vite Betimi kishte jetuar në një pallat banimi social në via Tasso 3, por dy vite më parë u zhvendos në via Petrarca, ku me shumë mund kishte blerë dhe vetë restauruar një vilë modeste.Versus.al







