Janë zbuluar detaje të reja lidhur me arrestimin e dy shtetasve kinezë në Tiranë, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe vjedhje të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se Njësia e Krimit Kibernetik ka arritur të parandalojë vjedhjen e të dhënave të mbi 5 mijë shqiptarëve dhe një dëm të mundshëm financiar që kapte shifrën e rreth 5 miliardë lekëve, ose 50 milionë eurove.
Hetimet tregojnë se skema mashtruese kishte në qendër falsifikimin e faqeve zyrtare të Postës Shqiptare, përmes të cilave synohej të përfitoheshin të dhëna bankare të qytetarëve.
Të arrestuarit janë identifikuar si Cunfeng Fan, 51 vjeç, dhe Haike Yan, 45 vjeç, të cilët kishin mbërritur në Tiranë një javë më parë për të ngritur infrastrukturën e nevojshme për realizimin e mashtrimit. Ata qëndronin në një hotel pranë qendrës së kryeqytetit, ku gjatë kontrollit u sekuestruan materiale me rëndësi për hetimin.
Sipas policisë, grupi është zbuluar falë monitorimit të vazhdueshëm të “dark web”-it dhe burimeve të hapura në internet. Hetimet vijojnë, pasi dyshohet se në këtë skemë janë të përfshirë edhe persona të tjerë./Versus.al

