Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me dosjen për të cilën dërgoi për gjykim deputetin Asllan Dogjani, i cili u mor sot zyrtarisht i pandehur.
Në reagimin e bërë mësohet se ndaj Dogjanit rëndon akuza për deklarimin e rremë të pasurisë. Fillimisht në mars të 2010-ës, Dogjani akuzohet se kishte deklaruar se kishte përfituar një apartament me sipërfaqe banimi 128.4 m2 në këmbim të konsulencave juridike që do të ofronte në të ardhmen, por sipas hetimeve, deputeti ka paguar “cash” shumën prej 121.980 eurosh.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 2 dhjetor 2024, përcolli pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit Asllan Dogjani, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
I pandehuri Asllan Dogjani akuzohet për kryerjen e veprës penale deklarim i rremë i pasurisë, e parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal.
Deklarimi i rremë për përfitimin e një apartamenti
Më 24 Mars 2010, në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, deklaroi se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2, i cili ndodhet në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.
Në mbështetje të këtij deklarimi, ai paraqiti kontratën me nr.7030 rep. dhe 781 kol. të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila, i pandehuri u mbështet sërish edhe në deklarimin e datës 16 Qershor 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.
Në ndryshim nga deklarimet e bëra, hetimet e këtij procedimi penal treguan se i pandehuri Asllan Dogjani është bërë pronari i apartamentit të lartëpërmendur, bazuar në kontratën me nr.7030 rep dhe 781 kol, dt.6 Shtator 2006, në të cilën parashikohej se vlera e apartamentit do të ishte 121.980 euro, shumë të cilën i pandehuri ia ka likuiduar shoqërisë, përmes pagesave cash.
Nga provat shkresore dhe ato të paraqitura nga dëshmitarë, rezulton se kontrata e datës 6 dhjetor 2006 mban të njëjtin numër rep. dhe kol. si ajo e datës 6 shtator 2006, por me ndryshimin e mënyrës së përfitimit të këtij apartamenti. Kjo tregon se kontrata është hartuar në mënyrë fiktive me qëllim deklarimin e rremë të burimit të krijimit të pasurisë së paluajtshme. Versus.al








