AKTUALITET /

U sekuestruan miliona euro ‘cash’, motra e Taulant Ballës aksionere në biznesin ku zbarkoi antimafia italiane

Shkruar nga Versus
U sekuestruan miliona euro ‘cash’, motra e Taulant Ballës
Alba Balla, Taulant Balla

Detaje të reja janë zbuluar nga operacioni i mbrëmjes së djeshme ku agjentët e BKH me urdhër të SPAK dhe në bashkëpunim me oficerë të antimafias italiane ushtruan kontrolle në kullën e famshme “Green Tower Forever” në Tiranë.

Në këtë godinë 24 katëshe kanë zyrat e tyre disa biznese të njohura, mes të cilëve edhe një “call center”. Sipas mediave, operacioni është rezultat i një hetimi disamujor të programit investigativ italian “Le Iene” që ishte fokusuar në një rrjet të mirëorganizuar mashtrimesh përmes call center-ave.

Për rreth 3 muaj, 15 persona të infiltruar nga “Le Iene’ arritën të zbërthenin të gjithë skemën duke ia referuar çështjen antimafias italiane e cila ka koordinuar operacionin e djeshëm me në krye prokurorin e SPAK, Vladimir Marën.

Ajo çfarë mësohet më tej nga mediat është se biznesi ku janë ushtruar kontrolle rezulton të ketë si aksionere edhe Alba Ballën, motrën e kreut të grupit parlamentar të PS, Taulant Ballës së bashku me 2 persona të tjerë.

Si pasojë e kontrolleve janë sekuestruar miliona euro ‘cash’ si dhe dhjetëra kuleta kriptomonedhash të cilat dyshohen se lidhen me aktivitetin kriminal të hetuar.  Operacioni është ndjekur nga afër edhe nga drejtuesi i BKH-së, Joni Keta, i cili, sipas burimeve, ka qenë i pranishëm në terren gjatë veprimeve hetimore. Pritet që së shpejti të ketë informacione më të detajuara nga SPAK dhe autoritetet italiane. Versus.al

Poll