
Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Skënder Hita ka dhënë urdhër për forcimin e masave sa i takon goditjes së trafikut të lëndëve narkotike pranë shkollave. Nëpërmjet një telegrami, Hita ka kërkuar rritjen e sigurisë në shkolla, kryesisht në gjimnaze për të ndërhyrë menjëherë ndaj shpërndarësve të drogave.
Urdhri vjen pas shqetësimit të ngritur nga një prind në kryeqytet i cili raportoi se djalit të tij i ishte ofruar kanabis në një shkollë të kryeqytetit. Në kuadër të urdhrit të Hitës, pritet të ketë kontrolle të befasishme jo vetëm me patrulla policie, por edhe me agjentë civilë.
Gjithashtu, efektivët duhet të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me oficerët e sigurisë në shkolla dhe me drejtuesit e institucioneve për nxënësit problematikë, për të adresuar konflikte, mbajtjen e armëve të ftohta, si dhe identifikimin e subjekteve që tregtojnë produkte të ndaluara si alkool dhe duhan për të rinjtë nën 18 vjeç. Versus.al

