AKTUALITET /

Vajza vrau me thikë nënën, por familjarët e raportuan si vdekje natyrale. Nisin hetimet për mjeken e familjes. Kolegët në protestë

Sipas Policisë, gruaja humbi jetën më 30 prill, por rasti nuk ishte raportuar në komisariat

Shkruar nga Versus

  Vajza vrau me thikë nënën, por familjarët e raportuan si   

Një mjeke familje në Qendrën Shëndetësore të Mamurrasit po hetohet pas zbulimit të vrasjes së një 85-vjeçareje në Fushë-Mamurras pasi mjekja e kishte plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar atë si natyrale.

Rasti ka nxitur reagimin e mjekëve dhe infermierëve të Qendrës Shëndetësore të Mamurrasit, të cilët kanë protestuar këtë të hënë në mbështetje të koleges së tyre, duke e konsideruar të padrejtë akuzën për shpërdorim detyre.

Ngjarja tronditëse u zbulua rreth një muaj pas vdekjes së të moshuarës Dave Shpani, 85 vjeçe, nga Fushë-Mamurrasi i Kurbinit.

Sipas Policisë, gruaja humbi jetën më 30 prill, por rasti nuk ishte raportuar në komisariat. Hetimet e mëvonshme zbuluan se ajo ishte vrarë me thikë dhe jo si pasojë e shkaqeve natyrale.

Sipas autoriteteve, si autore e dyshuar e krimit është arrestuar vajza e viktimës, 57 vjeçe, e cila jetonte me të njëjtën banesë dhe vuante nga probleme të shëndetit mendor. Ndaj saj rëndon akuza e “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe thika që dyshohet se është përdorur në krim.

Ndërkohë, Prokuroria po heton në gjendje të lirë mjeken e familjes Anila Lleshi për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas Policisë, ajo ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar rastin si vdekje natyrale dhe pa njoftuar organet ligjzbatuese.

Kolegët e saj shpjegojnë se mjekja ka vepruar në mirëbesim, pasi familjarët kanë kërkuar dokumentacionin disa ditë pas varrimit të të moshuarës. Sipas tyre, djali i viktimës kishte deklaruar se nëna kishte ndërruar jetë për shkaqe shëndetësore dhe mbi bazën e kësaj dëshmie është plotësuar skeda e vdekjes.

Gjatë protestës, personeli shëndetësor theksoi se raste të tilla nuk janë të pazakonta, pasi shpesh familjarët paraqiten për dokumentacionin përkatës vetëm pas ceremonive mortore. Ata kërkuan që hetimet të zhvillohen me profesionalizëm dhe pa paragjykime ndaj mjekëve që ushtrojnë detyrën e tyre në shërbim të komunitetit.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse ka pasur persona të tjerë që kanë ndihmuar në fshehjen e krimit, si dhe arsyet që çuan familjen të mos raportonte vdekjen e 85-vjeçares tek autoritetet. Versus.al

Poll