AKTUALITET /

Vandalizëm në Universitetin e Salentos: Fshihet mesazhi kundër dhunës gjinore në pllakatën përkujtimore të Ilarias Sulës

Incidenti ndodhi në një nga sallat mësimore të universitetit, ku pllaka përkujtimore ishte vendosur në dhomën e mësimit “Studium 6”.

Shkruar nga Versus
Vandalizëm në Universitetin e Salentos: Fshihet mesazhi kundër
Foto montazh: Pllaka e përkujtimore e fshirë/ Iliria Sula

Një akt vandalizmi i dëshpëruar u regjistrua në Universitetin e Salentos në Itali, ku u dëmtua pllaka përkujtimore në nder të Ilaria Sulës, studentes shqiptare 22-vjeçare, e cila humbi jetën tragjikisht në Romë si pasojë e një akti të dhunës brutale nga ish-i dashuri i saj, Mark Samson.

Incidenti ndodhi në një nga sallat mësimore të universitetit, ku pllaka përkujtimore ishte vendosur në dhomën e mësimit “Studium 6”. Në të ishte shkruar mesazhi: “Kjo karrige është e rezervuar për Ilaria Sulën, e vrarë nga femicidi. Edhe ajo duhet të kishte qenë në klasë sot.” Megjithatë, fjala “femminicidio” (femicid), që thekson qartë motivin gjinor të krimit, u fshi me stilolaps të zi.

Departamenti i Shkencave Humane dhe Sociale (DISUS) reagoi menjëherë përmes një deklarate në rrjetet sociale, duke dënuar këtë veprim si “të papranueshëm dhe ofendues ndaj kujtimit të Ilarias dhe të gjitha viktimave të dhunës me bazë gjinore.”

Në komunikatën zyrtare theksohej: “Ky akt bie ndesh me vlerat tona thelbësore të respektit, përfshirjes dhe përgjegjësisë qytetare që udhëheqin aktivitetet tona të përditshme. Lufta kundër dhunës gjinore është një angazhim i palëkundur për ne, dhe do të vazhdojmë të promovojmë ndërgjegjësimin dhe edukimin përmes studimeve, diskutimeve dhe nismave të përhershme.”

Ngjarja tronditi edhe familjen e Ilarias. Babai i saj, z. Flamur Sula, shprehu dhimbjen dhe indinjatën në një deklaratë publike: “Më vjen shumë keq për Ilariën… po fyhet kujtimi i saj dhe i vajzave të tjera të vrara nga dhuna. Jam i tronditur dhe pa fjalë. Për fat të keq, ekzistojnë edhe njerëz të tillë në këtë botë.”

Ky incident ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, duke rikthyer në fokus rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe për barazinë gjinore./Versus.al

Poll