AKTUALITET /

Vdekja e punonjësit të komunales, familjarët: Ishte në punë, jo siç thotë bashkia! Të ndihmohet familja

Familjarët e të ndjerit kërkuan që shteti të ofrojë ndihmë ekonomike për familjen e 54 vjeçarit pasi nuk kishin asnjë të ardhur tjetër.

Shkruar nga Versus
Vdekja e punonjësit të komunales, familjarët: Ishte në
I ndjeri Astrit Hysenaj dhe mbesa e tij

Familjarët e 54 vjeçarit Astrit Hysenaj i cili humbi jetën në Durrës si pasojë e përmbytjeve, kanë hedhur poshtë versionin e dhënë nga bashkia për tragjedinë.

Mbesa e tij Klediana Bërsheni dhe kushëriri i tij Osman Hysenaj pretendojnë se i ndjeri ka qenë në punë dhe ka ndërruar jetë në krye të detyrës pavarësisht se bashkia në njoftimin e bërë pretendonte se 54 vjeçari ishte larguar nga ambientet e punës në orën 10:30.

Sipas tyre, Hysenaj është filmuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Plepave teksa ishte duke pastruar.

“Deri në momentin e fundit të jetës ka qenë në krye të detyrës. Nëse diku ka ndonjë pamje filmike pas kësaj ore, le t’i vënë në dispozicion”, tha Osman Hysenaj, djali i xhaxhait të viktimës.

“Kanali ku ka rënë është pranë vendit ku është parë për herë të fundit dhe rrjedha e ujit, kur të merr, të nxjerr aty ku u gjet. Nuk mund të përbaltet figura e tij duke thënë se nuk ka qenë në punë. Kërkojmë respekt për figurën e tij”, tha ndër të tjera mbesa e tij Klodiana.

Ndërsa të dy kërkuan ndihmë ekonomike nga shteti për familjarët e të ndjerit të cilët mbaheshin vetëm me rrogën e 54 vjeçarit. Versus.al

Poll