
Në Gjykatën e Posaçme ka nisur seanca e radhës në themel në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i cili nuk ka pranuar të jetë i pranishëm në sallë duke zgjedhur të qëndrojë në paraburgimin e Durrësit.
Që në nisje është paraqitur kërkesa që seanca të transmetohet live për publikun. Kësaj kërkese, ish-kreu i SPAK, Altin Dumani është përgjigjur duke thënë se ai nuk e ka problem, por mund të ndodhë që të ekspozohen bashkëpunëtorët e drejtësisë.
“Gjyqi live?! Ne si organ akuze se kemi problem, por mund të shqetësojë procesin, çështjet penale ku ka dëshmitarë më tepër bashkëpunëtor drejtësie nuk lejohet transmetimi live, nuk ndodh kjo as në rajon as Europë as gjyqet federale në SHBA. Mund të lejohen kamerat për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”- tha Dumani.
Më tej tha se avokatët e Veliajt po tentonin të zvarrisnin procesin vazhdimisht me kërkesa të pazakonta.
“Kemi 2 muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake, avokatët e veliajt në mënyrë të përsëritur me kërkesa artificiale në gjykimin tonë, për qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor”- shtoi prokurori.
Në vijim të seancës, gjykata rrëzoi kërkesën për transmetim live, ndërsa avokati i Veliajt, Plarent Ndreca tha se kryebashkiaku nuk kishte asnjë interes për të zvarritur procesin dhe kërkoi që klienti i tij të gjykohet i lirë.
"Ne s'kemi qëllim të zvarrisim procesin, i vetmi që mbahet në burg është Erion veliaj dhe ai ka interes të eci sa më shpejt ky proces, ne nuk pranojmë të ecim pa qenë një proces i rregullt ligjor"- tha Ndreca. Versus.al

