
Me pankarta në duar si “ "Duam Rrugë", "Nuk presim më" apo edhe "Kërkojmë Investime", banorët e Lumit të Vlorës dolën sot në një protestë të përqendruar për rreth një orë, duke shprehur indinjatën e tyre për gjendjen e rënduar të rrugëve lokale.
Ata bllokuan rrugën e Lumit të Vlorës, duke theksuar se prej 35 vitesh ky aks është lënë në harresë dhe është totalisht i amortizuar.
Në protestë morën pjesë banorë nga Velça, Bashaj, Matogjin, Vërmik, Verbas, Ramicë dhe krahina e Smokthinës, si dhe banorët e Kurveleshit të Sipërm. Ata treguan se për të përshkuar vetëm 25 kilometra deri në fund të fshatrave, u duhen rreth dy orë, duke vënë në dukje izolimin e zonës.
Bllokimi i rrugës shkaktoi radhë mjetesh, pasi ky aks është një arterie kryesore që lidh zonën me bregdetin e Himarës, një destinacion i preferuar për turistët vendas dhe të huaj.
Banorët shprehen se zona e tyre ka potencial të madh për turizmin malor, por mbetet e pazhvilluar për shkak të infrastrukturës së dobët. Ata kërkojnë nisjen e një dialogu me pushtetin qendror dhe një angazhim konkret për përmirësimin e rrugëve dhe zhvillimin e zonës. Protesta, e cila ishte paqësore, u shoqërua edhe me muzikë popullore, duke theksuar karakterin e komunitetit dhe përkushtimin e banorëve ndaj vendit të tyre./Versus.al







