
Forcat “Shqiponja” kanë arrestuar biznesmenin Ismet Gaxherri në bulevardin “Bajram Curri” pasi gjatë një kontrolli të bërë në automjetin e tij tip “Benz” iu gjet një armë zjarri.
Pistoleta e gjetur u sekuestrua në cilësinë e provës materiale ndërsa ndaj 39 vjeçarit rëndon akuza për armëmbajte pa leje.
Gaxherri rezulton të jetë emër i njohur edhe për opinionin publik pasi ai ka qenë i përfshirë edhe në ngjarjen e Linzës të ndodhur në vitin 2015 kur u qëllua për vdekje Enton Nikaj. Asokohe 39 vjeçari ishte pronar i lokalit ku ndodhi ngjarja dhe mik i viktimës i cili ishte përfshirë në një konflikt me biznesmenin e zhdukur, Ervis Martinaj.
Vrasja e Enton Nikajt:
Sipas Prokurorisë, të pandehurit ditën e ngjarjes kanë konsumuar një drekë në lokalin “M…”. Në momentin që ata kanë hipur në automjetin me të cilin kishin shkuar atje kanë parë nga larg pronarin e lokalit Ismet Gaxherri dhe shtetasin Enton Nikaj.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Ervis Martinaj është shprehur “Erdhi ky që më ka ca lekë borxh”. Ndërsa gjykata e Apelit pretendon se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se i pandehuri Martinaj ka thënë këto fjalë.
Duke iu referuar pamjeve filmike të kamerave të sigurisë dhe deklarimeve të të përfshirëve në ngjarje, Apeli shprehet se kur Gaxherri ka parë Martinajn i është drejtuar me “Viso, çkemi”.
Sipas Gjykatës, Martinaj i ka thënë se nuk kishte punë me të dhe se i ishte drejtuar Nikajt, duke i thënë “O çuni hajde një sekondë”.
Sipas Gjykatës, ata janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ku Nika është rrahur nga të pandehurit. Në të njëjtën kohë, i dëmtuari tjetër Gaxherri është mbajtur i ulur në gjunjë, nën kërcënimin e disa objekteve që, duke iu referuar pamjeve, gjykata i cilëson si sende të ngjashme me armët e zjarrit, tip pistoletë.
Gjatë kohës që i ndjeri Nika po dhunohej nga të pandehurit, prokuroria pretendon se ai është ekzekutuar me gjakftohtësi prej tyre, veprim i kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho.
Sipas Apelit, momenti i ekzekutimit nuk është regjistruar nga kamerat, pasi ka qenë jashtë fushëpamjes së tyre. Për pasojë, shprehet Apeli, pretendimi i organit të Akuzës se ekzekutimi është bërë me gjakftohtësi, në bashkëpunim nga të katër të pandehurit është i pabazuar në prova, por thjesht në analizën e veprimeve të të pandehurve.
Duke iu referuar provave të paraqitura në proces dhe pretendimeve të palëve, Apeli ka vlerësuar se vrasja e Enton Nikës është kryer pa paramendim dhe jo në bashkëpunim nga të pandehurit.
“Vrasja e shtetasit Enton Nika është kryer nga i pandehuri Emiljano Tasho, si pasojë e eksesit të këtij të pandehuri, gjatë kohës kur ai së bashku me të pandehurit e tjerë po godisnin me grushte, shkelma e sende të forta të ndjerin Enton Nika dhe shtetasin I.Gaxheri”, shprehet Apeli.
“Viktima nuk kishte njohje të mëparshme me katër të pandehurit e rrjedhimisht nuk mund të identifikohet shkaku apo motivi kësaj vrasjeje”, arsyetonte Apeli. Në lidhje me pafajësinë për akuzën e “moskallëzimit të krimit”, Apeli shprehej se “nuk mund të jetë vetë personi i cili është përfshirë në ngjarje, është marrë i pandehur nga organi i Akuzës dhe për më tepër akuzohet për veprën penale që duhet të kallëzojë, pasi në këtë mënyrë do të dilnim jashtë logjikës juridike dhe do të ndodheshim në kushtet kur i pandehuri inkriminon vetveten”. Versus.al







