
Versus.al ka siguruar pamjet e momentit kur ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ka mbërritur në komisariatin e Tiranës pasi u arrestua me urdhër të SPAK për abuzim me fondet e “SASPAC” drejtorin e menaxhimit të ndihmave të huaja, të cilën e drejtoi për rreth 1 vit.
Me pranga në duar dhe kokëulur, Beqaj shihet teksa hyn në ambientet e komisariatit.
Arrestimi i tij mësohet se është bërë rreth orës 07:50 të mëngjesit të sotëm. Gjithashtu me urdhër të SPAK u arrestuan edhe 2 bashkëpunëtorë të tij, Ermal Kurtulaj, koordinatori i “SASPAC” i cili dyshohet si pjesë kyç e skemës të Beqajt për pastrim parash dhe fatura fiktive me kompani që i zotëronte vetë ai. Kurtulaj firmoste të gjitha fondet që vinin në formë ndihme nga BE. Po ashtu firmoste për fatura fiktive ndaj kompanive të caktuara me arsyetimin se kishin organizuar evente për agjencinë ndërsa më pas paratë i tërhiqte nga banka.
Masa sigurie për këtë çështje hetimore janë lëshuar edhe për katër persona të tjerë të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt e Alfred Nikollës në skemën me fatura fiktive të paguara nga “SASPAC”. Mësohet se pas kontrolleve në banesa, me urdhrin e firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Rudina Palloi janë firmosur masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Gazment Haxhian dhe Elton Marinin si dhe detyrim paraqitje për Bledar Lekën dhe Bjon Zijajn të cilët dyshohen se si përfaqësues të subjekteve të ndryshme tregtare, bashkëpunuan me Ermal Kurtulajn për të lëshuar fatura fiktive ndaj “SASPAC” për shërbime që nuk i kishin kryer kurrë. Versus.al








