Ashtu siç ishte paracaktuar, ka nisur në orën 13:30 seanca e shtyrë në GJKKO ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.
Në pamjet e siguruara nga Versus.al shihet momenti kur Ilir Meta është brenda kafazit të qelqtë ndërkohë, ish-bashkëshortja e tij hap derën e sallës ku komunikon edhe me njërin prej efektivëve të pranishëm.
Më herët gjatë seancës që nisi në orën 09:30, pati përplasje të ashpra mes kreut të PL, Ilir Metës dhe prokurorëve të SPAK. Meta kërcënoi kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumanin me fjalët “të kam vath në vesh, çfarë kam për të të punuar”.
Ndaj ish-çiftit të bashkëshortëve rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash. Ndërsa Pirro Xhixho nën arrest shtëpie akuzohet po ashtu për korrupsion të kryer në bashkëpunim. Ema Çoku me masë “detyrim paraqitje” akuzohet për pastrim parash. Versus.al








