AKTUALITET /

VIDEO / Operacioni “Neonët” në Malësi të Madhe: Kapen mbi 1100 bimë kanabisi, 2 arrestime e një në kërkim

Tre ambiente të përshtatura me llamba dhe pajisje profesionale për kultivim dhe tharje kanabisi, dy arrestime në flagrancë, një në kërkim dhe 6 persona të tjerë nën hetim për shpërdorim detyre.

Shkruar nga Versus

VIDEO / Operacioni “Neonët” në Malësi të Madhe:

Malësia e Madhe u bë skena e një operacioni policor të suksesshëm që zbuloi një laborator të madh të kultivimit të bimëve narkotike kanabis.

Operacioni i koduar “Neonët” çoi në sekuestrimin e 1110 bimëve të dyshuara kanabis, 1.8 kg lëndë narkotike në formë boçe, si dhe dhjetëra pajisje profesionale për tharjen dhe përpunimin e tyre: 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.

Kontrollet intensive u ushtruan në tre ambiente, dy banesa dhe një stallë në fshatin Hot, të përshtatura për kultivim me llamba dhe tharje të kanabisit.

Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë kushërinjtë S. P., 48 vjeç dhe L. P., 69 vjeç, ndërsa K. P., 33 vjeç, shpallet në kërkim.

Përveç tyre, 4 punonjës të OSHEE-së dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, pasi dyshohet se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në ambientet e kultivimit. Ndalimi i shtetasve përfshiu: G. H., 57 vjeç (Balshaj), L. V., 34 vjeç (Aliaj), Xh. Ç., 24 vjeç (Zagorë) dhe A. S., 57 vjeç (Koplik). Për të njëjtën vepër penale u proceduan edhe E. H., 57 vjeç (Bajzë) dhe A. H., 41 vjeçe (Shkodër).

Materialet procedurale janë dorëzuar pranë Prokurorisë së Shkodrës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Policia vijon punën intensive për kapjen e shtetasit K. P., ndërsa hetimet do të shtrihen për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë rast të rëndë të kultivimit të drogës.

Poll