
Ka përfunduar mbledhja e Task Forcës në Shkodër, ku kreu i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi një takim me drejtuesin e prokurorisë, drejtorin e policisë së qarkut dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve ligjzbatuese.
Gjatë mbledhjes, Altin Dumani ka theksuar rëndësinë e hetimeve për krimet zgjedhore. Sipas burimeve, ai deklaroi se SPAK ka procedime konkrete për këtë çështje dhe se pritshmëritë janë të larta për zbardhjen e këtyre krimeve.
Kreu i SPAK kërkoi gjithashtu që në rastet kur ka akuza për shitblerje vote, individët që i bëjnë këto akuza të thirren për të bërë kallëzim në polici dhe prokurori, duke i trajtuar këto raste me seriozitetin e duhur.
Dumani ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e vigjilencës së policisë dhe prokurorisë gjatë ditëve të fundit të fushatës elektorale, duke kërkuar një angazhim maksimal për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.
Ai ka vlerësuar punën e institucioneve të rendit në Shkodër dhe ka shprehur gatishmërinë e SPAK për të bashkëpunuar ngushtë me të gjitha strukturat ligjzbatuese./Versus.al








