Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Altin Qato është rikthyer në detyrë vetëm tre ditë pas skandalit të raportuar në autostradën Thumanë-Kashar, ku ai u filmua teksa qëllonte me shpullë në fytyrë drejtuesin e një mjeti.
Lajmin e bën me dije ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili thotë se Altin Qato nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë dhe llogaridhënies, pavarësisht se mund të rikthehet në detyrë me bekimin e Rrumbullakut.
"Partia Demokratike e dënon kthimin e Qatos në detyrë dhe kërkon marrjen e masave disiplinore serioze e të plota ndaj tij dhe çdo zyrtari që, në shkelje të detyrës, kërcënon, frikëson apo godet qytetarët.
Rikthimi i tij në detyrë, pas një “autokritike të shëndoshë” për Rrumbullakun e narko-Policisë dëshmon se sa i inkriminuar është pushteti, që nxjerr policët e Rrugores në rrugët e Shqipërisë për të goditur qytetarët, që jo vetëm paguajnë taksa për rrugët, por edhe rrogat e policëve", thotë ai.
Pasditen e të premtes, banorët e Krujës dhe të Fushë-Krujës dolën në protestë duke bllokuar aksin rrugor Thumanë-Kashar. Ata kërkojnë hapjen e rrugës dytësore dhe një nyje për të hyrë në autostradën e re. Në formë protestë, shoferët u binin borive të makinave dhe një ndër ta u pikas nga Altin Qato.







