Në pallatin e Sportit “Fahrie Hoti” vijon sot dita e dytë e rinumërimit për qarkun e Tiranës. Deri në orën 16:15 janë hapur 149 kuti votimi, nga 1282 në total që ka qarku i Tiranës. Nga hapja e kutive rezultojnë vetëm gabime të vogla, që nuk sjellin asnjë ndryshim për mandatet, por as në renditjen e kandidatëve në listë të hapur.
Rinumërimi për partitë
Nga rinumërimi i 149 kutive, del se PS kishte përfituar 62 vota më shumë, PD-ASHM kishte përfituar nga numërimi i parë, 59 vota më shumë, PSD 5 vota më shumë dhe Lëvizja Bashkë 7 vota më shumë. Pjesa më e madhe llogariten si vota të pavlefshme, ose janë vota që janë marrë në kurriz të partive të tjera.
Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani ka përfituar 1 votë më shumë, që i ishin hequr në numërimin e parë. Ndërkohë, 4 vota më shumë përfiton edhe partia e Lulzim Bashës dhe nga 1 votë më shumë merr Lëvizja Atdheu dhe 3 koalicioni i Alibeajt. Kurse Nismës Shqipëria Bëhet aktualisht i janë hequr 8 vota, që i ishin dhënë padrejtësisht në numërimin e parë.
Rezultatet e deritanishme të rinumërimit për partitë
Rinumërimi për kandidatët
Sa i takon betejës së brendshme të partive, të dy kampet kanë trafikuar vota brenda familjes edhe pse deri më tani rezultatet e rinumërimit nuk tregojnë asnjë ndryshim në renditje. Ilir Alimehmeti ishte ai që kërkoi t'i hapen kutitë, por nga rinumërimi (142 kuti deri në orën 16:30), se i zbritet 1 votë të cilën e kishte marrë padrejtësisht më 11 maj. Rivales së tij Jorida Tabaku i janë vjedhur 7 vota, duke mos e zbutur diferencën prej 2400 votash që kanë mes tyre. Kandidates Ilda Zhulali i ishin vjedhur 11 vota. Nga, rinumërimi, Mhill Gecajt i hiqen 7 vota, Asllan Dogjanit i shtohen 11 vota apo Dhurata Çupit i shtohen 2 vota. Petrit Dodës i zbriten 15 vota, Petrit Gjorgjit i zbriten 42 vota.
As në kampin e PS nuk ka asnjë ndryshim. Pavarësisht diferencës së ngushtë me 140 vota që Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti patën nga rezultati i 11 majit, deri më tani s’ka asnjë ndryshim në mandat. Nga rinumërimi, Olta Xhaçkës i zbriten 10 vota, ndërsa Gjylametit i shtohen 5 vota. Fatmir Xhafajt po ashtu i zbriten 18 vota që më 11 maj i kishte marrë padrejtësisht. Sofika Lleshit i zbriten 27 vota apo Kejsi Elezit që i zbriten po ashtu 68 vota dhe Halil Koloshit 36. /Versus.al







