
Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani me ftesë të zyrtarëve të qeverisë amerikane zhvilloi takime në SHBA
Vizita e Kreut të SPAK, Altin Dumani u konsiderua si e para e një zyrtari të lartë shqiptar në SHBA.
Por menjëherë pasi u përhap lajmi se Dumani do të takohej me krerë të lartë të DASH, nuk munguan as teoritë me sfond politik për këtë vizitë të rëndësishme.
Së fundmi, SPAK ka publikuar agjendën e takimeve që Dumani ka mbajtur në SHBA, në Uashington D.C me zyrtarë të lartë të DASH, Departamentit të Drejtësisë dhe FBI-së si dhe në Nashville, ku mori pjesë në Konferencën e DEA-s amerikane.
Njoftimi i SPAK:
WASHINGTON D.C – Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Altin Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Ëashington D.C, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator.
Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.
Z.Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.
Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht
NASHVILLE-TENNESSEE – Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.
Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi.
Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.







