Katër të arrestuarit për vrasjen e dyfishtë në Manzë, Erald Cani 25 vjeç, Egi Kadiu, 21 vjeç si dhe dy vëllezërit Taulant Beqja, 37 vjeç dhe Emirjan Beqja, 34 vjeç janë liruar nga Gjykata e Durrësit.
Gjykata ndaj tyre ka caktuar masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ dhe iu është ndaluar dalja jashtë shtetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 22 tetorit kur dy të rinj Aranit Kurti 22 vjeç dhe Flori Paluçi u vranë me armë zjarri pranë një karburanti në Manzë.
Ndërsa autori i dyshuar i një prej vrasjeve Daniel Pepa, 21 vjeç është ende në kërkim.
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
21 vjeçari Daniel Pepa ka hyrë në lokal rreth orës 1:40 të mëngjesit ku i ka kërkuar kamarierit që t’i bënte një kafe. Ky i fundit i është përgjigjur se ekspresi ishte fikur që në orën 00:00. Në këtë moment Pepa ka shpërthyer në ofendime drejt kamarierit, çka ka bërë që në mbrojtje të këtij të fundit të dilte 33 vjeçari Flori Paluci i cili shoqërohej në lokal nga personi i arrestuar sot, Erald Cani, 25 vjeç.
Pas konfliktit verbal mes tyre, Daniel Pepa është larguar me makinë nga lokali dhe është kthyer më pas me shokun e tij, Aranit Kurtin dhe të arrestuarin tjetër Egi Kadiu, 21 vjeç. Gjatë tentativës së tre të rinjve për të hyrë në lokal me forcë, ka dalë Flori Paluci i cili ka qëlluar me armë zjarri në tokë.
Në këtë moment, Daniel Pepa ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt tij duke e lënë të plagosur. Flori Paluci ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar drejt Aranit Kurtit i cili e kishte goditur me grusht në fytyrë dhe drejt Daniel Pepës. Si pasojë e plagëve të marra, Flori Paluci dhe Aranit Kurti mbetën të vdekur.
Ndërsa Daniel Pepa u largua nga vendngjarja i ndihmuar nga shoku i tij G.A. Policia po ushtron kontrolle për kapjen e tyre./Versus.al
