
Mbrëmjen e 4 janarit të këtij viti, një ekzekutim me breshëri automatiku tronditi Shkodrën, ku mbeti i vrarë 33 vjeçari Ramazan Mataj.
Pak ditë më pas policia arrestoi autorin Arjon Hasaj dhe vëllain e tij Klisman Hasaj, të cilët rrëfyen se krimin e kishin kryer pasi viktima kishte përndjekur vazhdimisht motrën e tyre duke i prishur kësaj të fundit dy martesa që kishte pasur.
Lidhur me ngjarjen, ka vendosur të flasë për “Shqipëria Live” edhe vetë Armela Hasaj, motra e vëllezërve që vranë personin që e përndiqte. Ajo tha se prej 4 vitesh është e braktisur nga familja dhe në kushte të rënda psikologjike, duke rrëfyer se kishte tentuar edhe vetëvrasjen, por ishte penguar nga vajza 5 vjeçare.
Armela tregoi sesi viktima e kishte përndjekur vazhdimisht edhe pas martesës së dytë duke e kërcënuar me armë zjarri nëpërmjet fotove që bënte jashtë banesës së saj.
“Nuk dilja përjashta, sepse kisha frikë. Dilja ose me mamin, ose me dikë tjetër, sepse mendoja se do më dilte para. Pasi u martova prapë, më vinte te shtëpia e burrit të dytë. Unë rrija brenda, sepse kisha frikë.
Të gjithë e kishin marrë vesh. Më pas ai gjeti kontakte me ish-kunatën time. I dërgoi fotot. I ka shkuar babit te shtëpia dhe ai më erdhi e më tha se çfarë ishin këto gjëra.
Thoja më mirë ta mbaj vetë atë barrë sesa t’ja shtoj familjes por ndodhi si ndodhi. Kam katër vite pa shkuar në fshat, nuk e dija çfarë ndodhte. Ka kërcënuar edhe motrat e tjera, mi niste bisedat. Më thoshte ma bëj këtë motrën, i thoja ke punë me mua jo me familjen. Më ka nisur foto me armë te dera e shtëpisë sime. Detyrohesha të kthehesha prap. Të gjitha provat i kam në telefonin që më ka marrë ai prej dore. Nuk ia kam nisur askujt, më vinte turp. Jetoj vetëm me vajzën.
Çdo gjëje u dal unë përballë, jo familja ime. Familjes sime i kërkoj shumë falje për këtë gjë që kam bërë. Dua ti shoh mirë dhe ti shoh dhe njëherë të lirë. Unë jam shkaktare për këtë gjë. Vajzën time nuk e kanë takuar, vetëm kur ka qenë shumë e vogël. Kam tentuar të vras veten, vajza ime 5 vjeçe më tha mami nuk je vetëm.”- rrëfeu ajo mes të tjerash.
Ndërsa familja Hasaj është ngujuar me frikën e një gjakmarrje të mundshme mes dy fiseve. Versus.al








