
Kur kanë kaluar dy ditë nga vrasja e recepsionistit Eraldo Nevruzi në hotelin “Greccia” të Dhërmiut, ende nuk është gjetur arma me të cilën pronari Gerald Shehu kreu ekzekutimin.
Pak orë pas ngjarjes, u gjet gëzhoja e plumbi por jo arma. Ndërsa makina me targa angleze e Gerald Shehut, u gjet në Sarandë.
Dy punonjësit e Hotel Greccia, Daniel Qose dhe David Larti të cilët bashkëpunuan me Gerald Shehun për të transportuar në makinën e tij trupin e pajetë të 31 vjeçarit, do të dalin nesër para gjykatës së Vlorës për masë sigurie. Të premten ata deklaruan në polici se nuk ishin detyruar nga bashkëpronari i hotelit që ta ndihmonin për të futur në makinë trupin e pajetë të recepsionistit.
Më pas detaje tronditëse u zbuluan lidhur me ngjarjen ku u mësua se dy punonjësit dhe Gerald Shehu kishin djegur në furrën e picave rrobat dhe mjetet e identifikimit të Eraldo Novruzit. Një turiste angleze kishte dëgjuar të shtënat. Më pas vjehrra e Geraldo Shehut, bashkërpronare e hotelit kishte telefonuar policinë pasi nuk kishte gjetur as recepsionistin dhe as dhëndrin e saj.
Si ndodhi vrasja
Gerald Shehu dyshohet se e kishte planifikuar ekzekutimin. Rreth orës 01:00 të së mërkurës mori veçmas recepsionistin në një prej dhomave të pushimit të stafit dhe pas një sherri me tone të larta me të, e ka qëlluar 2 herë me plumb në kokë. Më pas e ka zhveshur dhe rrobat e tij i ka djegur në bashkëpunim me dy punonjësit, David Larti dhe Daniel Qose të cilët e kanë ndihmuar të fusë trupin e pajetë të të riut në automjetin tip "Audi". Pas kësaj Shehu ka hedhur trupin e Eraldo Nevruzit në një gurore pranë fshatit Vuno dhe ka kaluar kufirin drejt Greqisë, ku është kapur në aeroport teksa përpiqej të përdorte pasaportën e tij për t'u arratisur. Versus.al








