Zbardhen detaje të reja nga atentati i ndodhur pak ditë më parë në Vlorë, ku mbeti i vrarë Renato Hoxhaj. Burime të sigurta bëjnë me dije se Hoxhaj dyshohet se ishte informator i disa grupeve kriminale, ndërsa pista kryesore e hetimit është se vrasja e tij është porositur nga Dubai.
Autori i dyshuar i krimit është një shtetas rumun, me të kaluar kriminale, i cili dyshohet se është larguar nga territori shqiptar përmes pikës kufitare të Qafë Botës. Aktualisht, rumuni është shpallur në kërkim nga policia shqiptare.
Ndërkohë, në pranga ka rënë Eris Mehmetaj, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje, pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin për t’u larguar nga vendi. Hetimet paraprake zbulojnë se në atentat janë përdorur dy armë zjarri të tipit pistoletë.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, automjeti që u përdor gjatë vrasjes ishte blerë në Tiranë nga Mehmetaj, me porosi të Alesio Dobrozit – një emër i njohur për drejtësinë italiane dhe shqiptare. Dobrozi është dënuar më parë në Itali për vepra të rënda penale dhe njihet si pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në grabitje të dhunshme. Ai ka qenë i implikuar edhe në një ngjarje të mëparshme në Lezhë, ku bashkë me persona të tjerë – përfshirë nipin e ish-deputetit Rrahman Rraja – kanë hyrë të armatosur në një lokal.
Policia po vijon hetimet intensive për të zbardhur të plotë motivet dhe porositësit e atentatit, si dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në ngjarje. Autoritetet shqiptare janë në bashkëpunim edhe me agjencitë ndërkombëtare të sigurisë për ndalimin e shtetasit rumun. /Versus.al/








