Tiranë- Sot në spitalin privat u mbajt seanca gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" ndaj 14 vjeçarit M.P i cili vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij M.C pas një sherri që kishin pasur më herët. Të miturit i cili ende po merr trajtim mjekësor për një lëndim që kishte pësuar në dorë, i është caktuar masa e qëndrimit në paraburgim sapo të dalë nga spitali.
Ndaj të miturit rëndojnë akuzat për vepra të rënda penale si "mbajtja pa leje e armëve të ftohta" dhe "vrasje në rrethana cilësuese".
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën rreth 200 metra larg shkollës 9 vjeçare “Fan Noli” ku të dy të miturit ishin nxënës. 14 vjeçari u dërgua në spital nga të pranishmit pranë vendngjarjes për shkak se ambulance u vonua në trafik. Pavarësisht mbërritjes në spital, i mituri nuk mundi të mbijetonte për shkak të plagëve që kishte marrë në zemër.
Ajo çfarë ishte edhe më tronditëse ishte fakti se i mituri që kreu krimin, nuk pati asnjë lloj pendese por përkundrazi postoi edhe foto në rrjetin social “snapchat” me dorën e fashuar në shenjë mburrje. Aktualisht ai ndodhet në spital për shkak të një lëndimi të pësuar gjatë përleshjes.
Mbrëmë folën për herë të parë prindërit e viktimës, të cilët u shprehën se kishin pasur në plan të largoheshin nga Shqipëria drejt SHBA-ve, ndërsa të përlotur shprehën dhimbjen e shuarjes së ëndrrave të djalit të tyre 14 vjeçar.
Me këtë akt të rëndë, ranë edhe njëherë këmbanat e alarmit në shoqërinë shqiptare për shkak të agresivitetit që ka përfshirë të gjithë brezin e ri të nxënësve të cilët e shohin si arritje krimin dhe lëndimin e njëri-tjetrit. Në reagim për ngjarjen, ditën e djeshme u organizua një marshim nga vendi ku ndodhi krimi deri tek ministria e Arsimit ku qindra protestues i kërkuan ministres Ogerta Manastirliu dorëheqjen nga posti i saj. Versus.al








