Një ndjekje spektakolare policore në mes të ditës, në zonën e Liqenit të Thatë dhe Unazës së Madhe në Tiranë, ka përfunduar me arrestimin e një personi me precedentë të theksuar kriminal, Imer Krashi, 31 vjeç, i njohur edhe me aliaset I. M. dhe I. U.
Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 të mesditës së sotme, kur shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Policinë e Tiranës, morën informacion në rrugë operative se një automjet i dyshuar po lëvizte në drejtim të TEG-ut dhe drejtuesi i tij mund të ishte i armatosur.
Automjeti u identifikua pranë zonës së Liqenit të Thatë, ku policia i bëri shenjë ndalimi. Pas komunikimit me drejtuesin e makinës, identifikuar më vonë si Imer Krashi, efektivët e njoftuan se do të ushtronin kontroll ndaj tij dhe mjetit. Por në vend që të bashkëpunonte, Krashi refuzoi urdhrin dhe u largua me shpejtësi, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të policisë që po i afroheshin.
Nis kështu një ndjekje intensive policore, gjatë së cilës Imer Krashi, në përpjekje për t’i shpëtuar ndalimit, përplasi 9 automjete dhe një motomjet, duke shkaktuar dy të plagosur – një efektiv policie jashtë shërbimit, E. R., 52 vjeç, dhe bashkëshorten e tij, O. R., 46 vjeçe. Të dy janë transportuar në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pas ndjekjes në trafik të ngarkuar, shërbimet e Policisë bënë të mundur bllokimin e automjetit dhe arrestimin e Krashit. Gjatë kontrollit, në automjetin e tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri pistoletë.
View this post on Instagram
Imer Krashi rezulton të jetë një person me precedentë të theksuar penal, i evidentuar si një individ me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit Nr. 1, ku do të kryhen veprimet e mëtejshme procedurale, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse armën e zjarrit e mbante për ngjarje të planifikuara kriminale.







