Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me debatet e fundit që kanë shpërthyer në rrjet për kontrollet ndaj tregtarëve në tregjet bujqësore, kryesisht në jug të vendit. Shkak për polemikat u bë fakti se inspektorët po kërkonin faturë tatimore edhe për prodhime të mbledhura në natyrë, si rigoni.
Në reagimin e saj, Drejtoria e Tatimeve sqaroi se tregtarët ambulantë nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura tatimore apo të mbajnë dokumentacion për mallrat që shesin, për aq kohë sa janë të regjistruar dhe kanë përmbushur detyrimet për sigurimin e hapësirës publike.
Sipas deklaratës, ky sqarim i vonuar bazohet në nenin 5 të ligjit nr. 87/2019 dhe të ligjit për procedurat tatimore, i cili parashikon një status të veçantë për tregtarët ambulantë.
Ky reagim vjen pas presionit publik dhe ironive që shpërthyen sidomos nga qyteti i Sarandës, ku u raportua se edhe tregtarët që shesin produkte të egra të mbledhura në mal ishin të detyruar të lëshonin fatura.
Postimi u shoqërua edhe me komente ironike nga qytetarët, si ai i famshmi: “Po t’u bëftë Bardha kurban o Muçi, disa gjëra janë të natyrës”. /Versus.al







