Pas 3 orëve qëndrimi në SPAK ku ka dorëzuar audiopërgjimin e masakrës së 21 janarit ku 4 protestues u vranë në bulevardin para kryeministrisë, gazetari Artan Hoxha ka zbuluar për mediat se ka qenë ai i cili audiopërgjimin ua kishte dhënë familjarëve të Aleks Nikës.
Ai bëri me dije se personi që e ka regjistruar, është i rangut të lartë drejtues, ndërsa la të kuptohej se aty provohet që urdhri për të hapur zjarr drejt protestuesve, ka ardhur nga pozicionet më të larta.
“Kasetën e kam siguruar unë dhe ia kam çuar familjes Nika. Ua kam çuar për ta qetësuar familjen Nika mbi faktin se kush fshihet pas urdhrit për të hapur zjarr ndaj protestuesve. Prokuroria e ka marrë materialin. Regjistrimi është bërë nga një person që ka patur akses në kanalin e drejtuesve të lartë të Tiranës. Aty është shumë e qartë që vrasjet jo vetëm që janë bërë me urdhër, por urdhri është dhënë nga lart. Nëse do kishte zgjatur më shumë zjarri i hapur ndaj protestuesve, do të ishte një masakër akoma më e madhe. Punonjësve u jepet urdhër që nëse goditen me gurë, të godasin mbrapsht”- u shpreh gazetari Hoxha.
Dosja e 21 janarit tashmë po hetohet nga SPAK, pasi prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë. Duket se hetimet janë në një fazë më të avancuar lidhur me zinxhirin drejtues që dha urdhrin për të hapur zjarr ndaj protestuesve. Gazetari Hoxha tha se kjo është mundësia e fundit për zbardhjen e masakrës së 21 janarit 2011 ku 4 qytetarë u vranë teksa protestonin para kryeministrisë që asokohe drejtohej nga Sali Berisha. Versus.al








