Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel ka dhënë një intervistë të rrallë për BBC që kur ajo u tërhoq nga politika tre vite më parë.
Angela Merkel udhëhoqi Gjermaninë për 16 vjet. Ajo ishte në detyrë gjatë krizës financiare, krizës së emigrantëve të vitit 2015 dhe, në mënyrë të konsiderueshme, pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014.
A ishte ajo shumë e butë me Moskën? Nëse ajo nuk do të kishte bllokuar anëtarësimin e Ukrainës në NATO në 2008, a do të kishte një luftë atje tani? Të gjitha këtyre pyetjeve ish-kancelarja gjermane i ka shpjeguar për BBC.
"Konflikti ushtarak në Ukrainë mund të kishte filluar më herët"
Angela Merkel mbrojti fuqishëm mandatin e saj gjatë intervistës. Siç thotë ajo, lufta në Ukrainë do të kishte filluar më herët, dhe ndoshta do të ishte më e keqe, nëse Kievi do të kishte nisur procesin e anëtarësimit në NATO në vitin 2008.
“Ne do të kishim parë një konflikt ushtarak edhe më herët. Ishte absolutisht e qartë për mua se presidenti Putin nuk do të rrinte duarkryq dhe nuk do të monitoronte anëtarësimin e Ukrainës në NATO", theksoi Merkel , duke shtuar se atëherë "Ukraina si vend nuk do të ishte aq e përgatitur sa ishte në shkurt 2022", kur filloi pushtimi rus.
Kërcënimet e Vladimir Putin për armë bërthamore
Ish-kancelarja gjermane shpreh shqetësimin për kërcënimet e reja të Vladimir Putin për përdorimin e armëve bërthamore.
"Ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të parandaluar përdorimin e armëve bërthamore," shprehet Merkel duke vënë në dukje se nuk duhet të ketë efekte paralizuese të frikës.
"Ne gjithashtu duhet të pranojmë se Rusia është më e madhja, ose së bashku me SHBA-në , një nga dy fuqitë më të mëdha bërthamore në botë," pranon Merkel.
Angela Merkel thotë se ajo bëri gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar mjete paqësore bashkëpunimi me Rusinë. Në fakt, Putin filloi pushtimin ushtarak të Ukrainës vetëm disa muaj pasi ajo u largua nga posti si kancelare.
Dy tubacionet e gazit natyror midis Gjermanisë dhe Rusisë
Nën Merkelin, Gjermania dhe industritë e saj të mëdha me energji intensive u bënë të varura nga Moska. Berlini ndërtoi dy tubacione gazi natyror të lidhur drejtpërdrejt me Rusinë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky është shprehur më herët se gazi natyror i lirë ishte një mjet gjeopolitik i Kremlinit.
Por Merkel mbron vendimin e gazsjellësit. Siç tha ajo, motivet ishin të dyfishta, interesat e biznesit gjerman, por edhe ruajtja e lidhjeve paqësore me Rusinë.
Merkel këmbëngul se është përpjekur të frenojë sulmet ruse në Ukrainë përmes diplomacisë dhe negociatave. Megjithatë, ajo pranon se metodat dështuan. Në të njëjtën kohë, industria gjermane është goditur nga sanksionet ndaj energjisë ruse dhe po blen gaz të lëngshëm shtrenjtë, duke rritur në mënyrë dramatike kostot për bizneset. Sipas ish-kancelares, një epokë e re në marrëdhëniet e Evropës me Rusinë ka nisur "për fat të keq" pas pushtimit të plotë të Ukrainës.
Çfarë thotë për emigracionin?
Angela Merkel po mbron trashëgiminë e saj politike pas një sërë vendimesh. Në vitin 2015, në kulmin e krizës së migracionit , Gjermania hapi dyert për mbi një milion azilkërkues. Vendimet e saj u konsideruan vendimtare. Disa e urrenin dhe disa e lavdëronin.
Ish-presidenti amerikan Barack Obama e quajti atë një udhëheqëse të guximshme dhe etike, ndërsa kritikët e saj e akuzuan atë se i dha jetë Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, tani në vendin e dytë në sondazhe.
Angela Merkel pranon se AfD ka bërë fitime të mëdha, por nuk kërkon falje për vendimet e saj politike. Duke komentuar gjithashtu kritikat se politikat e saj në vitin 2015 ndihmuan në nxitjen e partive anti-emigrante dhe të ekstremit të djathtë edhe në vende të tjera, për shkak të kuotave në vendet evropiane, Merkel thekson se ajo nuk mund të mbahet përgjegjëse për të gjithë Evropën.
E vetmja mënyrë për të luftuar të djathtën ekstreme është ndalimi i imigracionit të paligjshëm, dhe u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të investojnë më shumë në vendet afrikane, në mënyrë që të përmirësojnë standardet e jetesës dhe të zvogëlojnë numrin e njerëzve që do të tundohen të largohen nga shtëpitë e tyre. .
Për rikthimin e Donald Trump
Mandati i parë i Donald Trump u prit me zemërim në Evropë, veçanërisht Gjermania përshkak të shpenzimeve të ulëta të mbrojtjes dhe deficitet tregtare.
Qëndrimet e Gjermanisë nuk kanë ndryshuar me rikthimin e Trump në krye të 'Shtëpisë së Bardhë' ndërsa kërcënon me tarifa për eksportet evropiane dhe veçanërisht për makinat gjermane.
“Është shumë e rëndësishme të dini cilat janë prioritetet tuaja, t'i paraqisni ato qartë dhe të mos keni frikë, sepse Donald Trump mund të jetë shumë i sinqertë”, shprehet Angela Merkel.
Dhe shton: “Ai shprehet shumë qartë. Dhe nëse e bëni këtë, ka njëfarë respekti të ndërsjellë. Të paktën kjo ishte përvoja ime”.
Por liderët evropianë janë shumë më të shqetësuar sesa kur Angela Merkel ishte kancelare, pasi përballen me SHBA-në, Kinën dhe Rusinë në një kohë kur ekonomitë janë të plogësht, votuesit janë të pakënaqur dhe ka presion nga e djathta ekstreme.
Në të njëjtën kohë, ka luftë në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, dhe Donald Trump duket se është më pak i interesuar për forcimin e sigurisë evropiane.
Angela Merkel, është shprehu se në këto kohë kur Eurozona po përballet me vështirësi, i përgjigjet me kënaqësi liderëve botërorë që e njohin mirë kur kërkojnë këshilla.
Por ajo nuk ka ndërmend të rikthehet në politikën aktive. Kur reporterja e BBC-së e pyet nëse i mungon pushteti dhe politika, ajo shpejt u përgjigje: "Jo, aspak"./Versus.al








