BOTA /

'Ndalohen vizitat në vendlindje', Gjermania ashpërson ligjet për azilkërkuesit, rriten edhe masat e sigurisë

Paketa përfshin ligje më të rrepta për armët, reduktimin e ndihmave sociale për refugjatët që u refuzohet kërkesa për azil, dëbim më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar dhe atyre që kanë kryer vepra penale

Shkruar nga M.H
'Ndalohen vizitat në vendlindje', Gjermania ashpërson ligjet
Ministrja Nancy Faeser dhe ministri Marco Buschmann

Qeveria gjermane ka rënë dakord për ashpërsimin e ligjeve dhe për një paketë sigurie, e cila përbëhet nga disa shtresa, pas sulmit vdekjeprurës me thikë të islamistit të dyshuar, Isa al H., në Solingen, prej të cilit më 23 gusht gjetën vdekjen tre vetë.

Paketa përfshin ligje më të rrepta për armët, reduktimin e ndihmave sociale për refugjatët që u refuzohet kërkesa për azil, dëbim më të shpejtë të azilkërkuesve të refuzuar dhe atyre që kanë kryer vepra penale.

Po ashtu do të zgjerohen kompetencat hetimore për autoritetet e sigurisë dhe do të ketë më shumë projekte parandaluese kundër islamizmit.

Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser, tha se do të ndalohen thikat në festivale, aktivitete sportive apo ngjarje të ngjashme publike. Në të ardhmen policia do të ketë gjithashtu të drejtë të ndalojë mbajtjen e thikave në stacionet e trenave, të cilat shpesh janë pika të nxehta veprash kriminale. Po ashtu parashikohet edhe një ndalim i përgjithshëm i thikave në trenat e distancave të gjata. Do të ashpërsohet edhe dhënia e licencave për armë zjarri.

Dëbim edhe për të rinjtë

Ministri i Drejtësisë Marco Buschmann tha se "kushdo që sulmon ose kërcënon me thikë njerëzit në Gjermani do të dëbohet shpejt nga vendi."

Ashpërsimi i masave të dëbimit do të vlejë edhe për të rinjtë. Edhe refugjatët që shkojnë për vizitë në vendet e tyre të origjinës do të dëbohen, se sipas ministrit Buschmann: "ai që shkon për pushime në vendlindje, ku pretendon se nuk mund te jetojë në siguri, vepron në mënyrë kontradiktore dhe do ta humbasë statusin e strehimit”.

Po ashtu edhe personat që kanë bërë kërkesë për azil në një vend tjetër të BE-së do të përjashtohen nga ndihmat sociale në Gjermani.

A do të ketë dëbime edhe në Siri dhe Afganistan?

Buschmann dhe Faeser konfirmuan gjithashtu qëllimin e tyre për të dëbuar persona që kanë kryer krime të rënda dhe terroriste të dyshuar edhe në Siri dhe Afganistan, megjithëse Gjermania nuk ka marrëdhënie diplomatike me këto vende dhe megjithëse një dëbim i tillë sipas organizatave për të drejtat e njeriut mund të jetë antikushtetues.

Zgjerim i kompetencave hetimore

Qeveria parashikon që të lejojë përdorimin e programeve për njohjen e fytyrave nga autoritetet e sigurisë për të kërkuar dhe identifikuar sa më të shpejtë në internet dhe rrjetet sociale persona të dyshuar apo të shpallur në kërkim.

Po ashtu do të krijohet një grup pune për të parandaluar islamizmin, sidomos radikalizimin e individëve përmes internetit./ Versus.al

Poll