
Rusia dëshiron t’i dërgojë gratë te psikologu nëse nuk duan fëmijë. Një udhëzim i ri i Ministrisë së Shëndetësisë në Rusi rekomandon që gratë që nuk duan të kenë fëmijë të dërgohen te psikologët për t’i ndihmuar të ndryshojnë mendim, në përpjekje për të përballuar krizën demografike në vend.
Rënia e shkallës së lindshmërisë në Rusi është një nga shqetësimet kryesore të presidentit Vladimir Putin që kur erdhi në pushtet 25 vjet më parë. Që nga fillimi i ofensivës ndaj Ukrainës në shkurt 2022, ku qindra mijëra burra të rinj u dërguan në front, ky problem është përkeqësuar.
Konsultimi i rekomanduar
Ministria e Shëndetësisë rekomandon tani që mjekët t’i dërgojnë gratë që nuk duan fëmijë “në një konsultë me psikologun, me qëllim që të zhvillohet një qëndrim pozitiv ndaj të qenit nënë”, sipas dokumentit që AFP ka marrë të enjten. Këto rekomandime u miratuan në fund të shkurtit, por u bënë publike vetëm këtë javë nga mediat.
Gratë nga 18 deri në 49 vjeç
Sipas dokumentit, mjekët duhet të ftojnë gratë nga 18 deri në 49 vjeç për konsultime mjekësore vjetore që synojnë “vlerësimin e shëndetit riprodhues”. Këto rekomandime përfshijnë gjithashtu konsultime të ngjashme për burrat e të njëjtës moshë, por vetëm për vlerësimin e gjendjes së tyre fizike, pa përfshirë psikologët.
Çështje e mbijetesës kombëtare
Kremlini paraqet zvogëlimin e popullsisë ruse si një çështje mbijetesë kombëtare, duke paralajmëruar në vitin 2024 se Rusia mund të përballet me “zhdukjen” nëse nuk rritet shkalla e lindshmërisë. Shkalla e lindshmërisë në vend është në nivelin më të ulët që prej 200 vitesh, rreth 1.4 fëmijë për grua, shumë më poshtë pragut prej 2.1 që demografët e konsiderojnë të nevojshëm për stabilizimin e popullsisë.
Ligji mbi abortin
Në vitet e fundit, Moska ka ashpërsuar ligjet mbi abortin dhe ka miratuar rregulla që e bëjnë të paligjshme atë që quhet “propaganda child-free”. Familjet me shumë fëmijë lavdërohen në media dhe përfitojnë një sërë përfitimesh financiare dhe sociale nga shteti.

