
Në moshën 46-vjeçare, kjo ish-ushtarake e dekoruar e Forcave Ajrore të SHBA-së, e cila dezertoi në favor të Teheranit në vitin 2013. Ku fshihet sot Monica Witt, e cila mbetet një nga objektivat kryesore të inteligjencës amerikane. Sipas ekspertëve, ajo mund të dëmtojë rëndë interesat e Shteteve të Bashkuara. Duke u arratisur drejt Lindjes së Mesme, ajo mori me vete informacione ushtarake të klasifikuara “top secret”, duke u kthyer në një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë kombëtare amerikane.
A quhet sot Narges Witt apo Fatemah Zahra? A është bërë spiune, konsulente ushtarake apo analiste për regjimin iranian? Një gjë është e sigurt: Monica Witt ndodhet në listën e personave më të kërkuar nga Byroje Federale e Hetimeve (FBI).
“Monica Witt kërkohet për përfshirje të dyshuar në aktivitete kriminale, përfshirë spiunazh dhe komplot për spiunazh”, thuhet në urdhrin e arrestit të lëshuar ndaj saj.
Sipas autoriteteve amerikane, ish-ushtarakja jeton aktualisht në Iran dhe gëzon mbrojtjen direkte të shtetit, gjë që shqetëson shumë Uashingtonin. Gjatë karrierës së saj, Monica Witt ka pasur akses në të dhëna shumë sensitive. Ajo zotëronte ndër të tjera identitetet e informatorëve amerikanë që operonin në territorin iranian dhe njihte protokollet sekrete që përdorin Shtetet e Bashkuara për të interceptuar komunikimet e huaja.
“Një armë e frikshme”
Më shumë se dhjetë vjet pas dezertimit të saj, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur, ekspertët amerikanë mendojnë se Monica Witt mund të përfaqësojë një “armë sekrete të frikshme” për Iranin.
“Në një shkallë nga një deri në dhjetë, unë do ta vlerësoja aftësinë e saj për të dëmtuar SHBA-në me shtatë ose tetë”, ka deklaruar Douglas Wise, ish-drejtor zëvendës i agjencisë së inteligjencës ushtarake amerikane.
Në kontekstin aktual, njohuritë strategjike të saj konsiderohen nga Uashingtoni si një bombë me sahat.

Kush është Monica Witt
Monica Witt ka lindur në Teksas në vitin 1979. Ajo iu bashkua Forcave Ajrore amerikane në vitin 1997 dhe punoi si specialiste për interceptimin dhe analizën e komunikimeve. Ajo është dekoruar disa herë gjatë karrierës së saj, duke marrë edhe medaljen “Air Medal” për shërbimet e saj.
Gjatë karrierës, ajo mësoi gjuhën farsi, gjuhën zyrtare të Iranit, dhe u dërgua në misione në Arabinë Saudite dhe Irak. Pikërisht gjatë misionit në Irak ajo filloi të interesohej për islamin dhe të studionte Kuranin në mënyrë të thelluar.
Kritike ndaj Shteteve të Bashkuara
Pas largimit nga ushtria në vitin 2008, ajo punoi për disa kompani kontraktore të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, ndërkohë që vazhdonte studimet për Lindjen e Mesme. Sipas ish-kolegëve të saj, pikërisht gjatë kësaj periudhe ajo u bë gjithnjë e më kritike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe rolit të tyre në konfliktet e huaja.
Një ish-shok klase i tha gazetës New York Times se Monica Witt përmendte shpesh krime të dyshuara lufte që pretendonte se i kishte parë gjatë karrierës ushtarake. Sipas tij, ajo vuante edhe nga pagjumësia dhe thoshte se disa ngjarje që kishte përjetuar e përndiqnin vazhdimisht.

Udhëtimi vendimtar në Iran
Në vitin 2012, Monica Witt udhëtoi drejt Teheranit për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Ky aktivitet u organizua nga një strukturë që më vonë qeveria amerikane e lidhi drejtpërdrejt me Gardën Revolucionare Iraniane.
Sipas ekspertëve amerikanë, pikërisht gjatë këtij udhëtimi ajo ra në kontakt me agjentë iranianë. Pak kohë më pas, ajo filloi të dërgonte mesazhe tek një ndërmjetës në Iran, duke shprehur hapur dëshirën për të dezertuar.
“Po përpiqem të përdor trajnimin ushtarak që kam marrë për të mirën dhe jo për të keqen”, kishte shkruar ajo në vitin 2013.
“Nëse gjithçka tjetër dështon, mund të dal nga heshtja dhe të bëj si Edward Snowden”, kishte shtuar ajo në mesazhet e saj, duke iu referuar ish-kontraktorit të inteligjencës amerikane që publikoi dokumente sekrete mbi programet e survejimit global.
Dy muaj më vonë, Monica Witt mori vizën.
“Po kthehem në shtëpi”, i shkroi ajo ndërmjetësit të saj në Inteligjencen iraniane pak para se të nisej për në Teheran./ VERSUS

