BOTA /

Alarm në Paris: Mijëra njerëz largohen nga shtëpitë për shkak të një bombe historike

Operacion i rrezikshëm në Colombes; autoritetet neutralizojnë municionin e vjetër, banorët rikthehen në shtëpi pas disa orësh

Shkruar nga Versus

Alarm në Paris: Mijëra njerëz largohen nga shtëpitë

Mijëra banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në një periferi veriore të Paris, pasi autoritetet ndërmorën një operacion delikat për neutralizimin e një bombe të mbetur nga Lufta e II Botërore.

Ngjarja u zhvillua në Colombes, ku banorët brenda një rrezeje prej 450 metrash nga vendi ku u gjet mjeti shpërthyes u urdhëruan të evakuoheshin deri në orën 07:00 të mëngjesit. Bomba ishte zbuluar që më 10 prill gjatë punimeve ndërtimore në një rrugë të zonës, duke ngritur menjëherë alarmin e autoriteteve.

Sipas mediave franceze, tentativa fillestare për të çaktivizuar detonatorin dështoi, duke detyruar ekspertët të kryejnë një shpërthim të kontrolluar në vend. Operacioni u realizua rreth orës 15:20 dhe u konsiderua i suksesshëm, ndërsa urdhri i evakuimit u hoq pak pas orës 16:00.

Autoritetet kishin vendosur masa të rrepta sigurie, duke krijuar një zonë evakuimi prej 900 metrash dhe një perimetër më të gjerë ku banorëve iu kërkua të qëndronin brenda. Rreth 800 efektivë policie u angazhuan për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë.

Për banorët e prekur u ngritën qendra pritjeje dhe u ofrua asistencë, veçanërisht për personat në nevojë apo me probleme shëndetësore. Një banore e zonës, në një prononcim për Le Parisien, tregoi se u larguan me nxitim nga shtëpia, duke lënë gjithçka pas.

Rasti nuk është i izoluar. Edhe pse kanë kaluar mbi tetë dekada nga përfundimi i LIIB, bomba të pashpërthyera vijojnë të zbulohen në të gjithë Europën, sidomos gjatë projekteve të ndërtimit në zona urbane.

Vetëm vitin e kaluar, një tjetër bombë e madhe u gjet pranë Gare du Nord në Paris, ndërsa raste të ngjashme janë regjistruar shpesh edhe në Londer, duke detyruar evakuime masive dhe ndërprerje të përkohshme të shërbimeve.

Ngjarja në Colombes rikthen në vëmendje rrezikun e vazhdueshëm që paraqesin mbetjet e luftërave të kaluara, veçanërisht në zonat e banuara dendur, ku çdo ndërhyrje kërkon masa të jashtëzakonshme sigurie dhe koordinim të lartë institucional.

 

Poll